Njëri nga kompjuterët e parë të prodhuar nga gjiganti teknologjik Apple është shitur në një ankand në Gjermani, me një çmim prej 666 mijë dollarësh.
Shtëpia gjermane e Ankandeve Breker tha të shtunën se kompjuteri ishte blerë nga një blerës anonim në Azi.
I ashtuquajturi Apple 1 u ndërtua nga themeluesit e Apple, Steve Jobs dhe Steve Wozniak, në garazhin e një shtëpie familjare.
Ai është ndërtuar në vitin 1976 dhe është një nga gjashtë kompjuterët e tillë në botë, që ende funksionojnë.
Kompjuteri përbëhet nga një motherboard dhe nuk ka as monitor e as tastierë.