OJQ ”Ec ma ndryshe” e cila monitoron punën e Komunës së Prizrenit vazhdojë ta kritikojë Inspektoratin për mos marrjen e masave për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa kriter veçanërisht atyre në zonën e mbrojtur. Edhe Drejtori i Urbanizmit mbështet kritikat e shoqërisë civile për mos vënien në praktikë të vendimit, ndërsa kryeinspektori, Bujar Nerjovaj thotë se pritet themelimi i një Task Force e përbërë nga përfaqësues të disa drejtorive dhe njëkohësisht pritet edhe legalizimi i disa prej objekteve.
Në shkurt të këtij viti Drejtoria e Inspektoratit në Prizren, pat miratuar kërkesën për hapjen e tenderit për kontraktimin e një firme që do të merrej me ekzekutimin e ndërtimeve pa leje dhe punimeve tjera, me parallogaritë prej 50 mijë eurosh, mirëpo kërkesa as sot nuk ka filluar së zbatuari në praktikë.
OJQ ‘Ec ma ndryshe’ e cila monitoron punën e komunës konsideron se mungesa e listës së objekteve që duhen rrënuar dëshmon se DI-ja dhe Qeveria komunale nuk janë të përkushtuara sa duhet në vënien e rregullit urbanistik brenda Komunës së Prizrenit.
Kjo organizatë thekson se ekzekutivi lokal mund të veproj në mënyrë energjike edhe në bazë të ligjeve në fuqi dhe thirrja hipotetike në ligjet që do të miratohen nuk është gjë tjetër vetëm se ikje e pastër nga përgjegjësia për veprim dhe vënie të rregullit në fushën e ndërtimeve.
‘EC ma ndryshe’ e cila deri më tani shumë herë ka shprehur shqetësimin me gjendjen e krijuar në fushën e urbanizmit, e sidomos në zonën e mbrojtur i bën thirrje kryetarit të komunës që urgjentisht të kërkoj nga DI-ja hartimin dhe publikimin e një liste të objekteve pa leje dhe me tejkalime që duhen rrënuar dhe rekomandon qeverinë lokale që sa më parë të nis procedurat për rrënimin e objekteve pa leje dhe të atyre që nuk i janë përmbajtur planeve rregulluese urbane.
Por, kryeinspektori Bujar Nerjovaj thotë se është në pritje të legalizimit të objekteve dhe formimit të një Task Force.
“Vullneti jonë është pro, por duhet shqyrtim detal rreth mënyrës së ekzekutimeve me qëllim që mos të shkaktohen dëme në pjesën që është me leje”, thotë Nerjovaj për Radio Kosovën.
Ndërkaq, me këtë konstatim nuk pajtohet Sadik Paqarizi, Drejtor i Urbanizmit i cili mendon se objektet në zonën e mbrojtur nuk legalizohen, përderisa i bën thirrje kryeinspektorit të veproj sipas ligjit.
“Jo në zonën e mbrojtur objektet nuk legalizohen. Ligji i cili ka hyrë në fuqi në gusht të vitit që shkoi tregon qartë mënyrën e dhënies së lejeve dhe ndërtimit “ thotë Paçarizi për Radio Kosovën.
Komuna e Prizrenit qysh në verën e vitit të shkuar kur edhe ka filluar së zbatuari në praktikë ligjin për zonën e mbrojtur patë paralajmëruar marrjen e masave për parandalimin e degradimit të zonës së mbrojtur nga ndërtimet pa kriter, mirëpo as sot vendimet nuk kanë gjetur zbatim. Zyrtarët paralajmërojnë pronarët që ti respektojnë lejet e ndërtimit pasi sipas tyre ata në të kundërtën do të bien ndesh me ligjin.
Kronikën mund ta ndiqni në "Info Plus" në orën 16:00, në Radio Kosovë