Ndryshimet e shpejta teknologjike dhe avancimi i vazhdueshëm shkencor, përveç anëve pozitive bartin me vete edhe rreziqe të shumta. Nga këto rreziqe janë sulmet e hakerëve në sistemet softverike të institucioneve financiare, shtetërore dhe atyre të sigurise.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës - Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike - në vitin 2012 janë trajtuar njëmbëdhjetë raste të cilat janë proceduar në gjykatë. Prej tyre për gjashtë është ngritur kallëzimi penal, ndërsa janë arrestuar tetë persona.
Eksperti i Sigurisë, Florian Qehaja, ka theksuar se krimet kibernetike përbëjnë një ndër rreziqet në rritje për sigurinë nacionale dhe atë individuale. Sipas tij, rreziku i këtij krimi mund të rezultojë në çrregullimin e sistemit të teknologjisë informative, ku si rrjedhojë do të defunksionalizoheshin databazat apo informacionet e klasifikuara të shtetit.
“Për sigurinë individuale (të qytetarëve të Kosovës), rreziku konsiston në ndërhyrjet në të dhënat personale dhe privatësinë e individëve. Koncepti i sigurisë tashmë ngërthen në vete jo vetëm sigurinë fizike të individëve, por edhe aspektet që ndërlidhen me privatësinë dhe të dhënat personale”, tha ai për Telegrafin.
Qehaja vlerëson se kryerësit e veprave kriminale kompjuterike kryesisht kanë në cak personat apo institucionet që supozohen se kryejnë transaksione financiare, si dhe kategoritë tjera që kanë në posedim të dhënat personale.
“Për shkak të natyrës specifike të këtyre krimeve, asnjë kategori nuk është imune ndaj tentativave të tilla. Mirëpo, arritja e qëllimeve varet nga niveli i sigurisë që ekziston. Problem në vete paraqesin krimet kibernetike që do të bëheshin nga jashtë, ku luftimi i kryerësve është gati se i pamundur, duke pasur parasysh që institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë nuk janë pjesë e iniciativave rajonale të sigurisë”, shprehet Qehaja.
Sipas tij, Policia e Kosovës e ka rolin prijës në luftimin e krimeve kibernetike, porse kapacitetet njerëzore dhe teknike në kuadër të këtij institucioni dhe institucioneve të tjera janë shumë të kufizuara.
“Nuk mund të pritet ndonjë reagim profesional i policisë në luftimin e kësaj dukurie në mungesë të këtyre kapaciteteve. Nuk është identifikuar asnjë operacion i shkallës së gjerë ku protagonistët e këtyre krimeve do të arrestoheshin. Në rast të ndonjë operacioni policor, barra do t’i bie sistemit të drejtësisë, ku po ashtu nuk ka prokuror dhe gjyqtarë të specializuar në këtë fushë. Institucionet duhet ndërmarrin masa konkrete për identifikimin dhe luftimin e kryerësve të këtyre veprave penale”, ka deklaruar Qehaja.
Në anën tjetër, Mentor Paçarada nga kompania interaktive FRAKTON, sqaron se nga përvoja e kompanisë të cilën ai e drejton, sulmet nëpër uebfaqe zyrtare, e sidomos portale, nisen zakonisht prej personave të rinj që dëshirojnë t’i testojnë aftësitë e tyre në hakerizëm ose nga urrejtja për ndonjë artikull që postohet në atë portal.
Ai ka theksuar se nuk mund të thuhet që ka uebfaqe të sigurt e cila gjendet në internet. Sipas tij, në Kosovë është shume më lehtë të sulmohet një uebfaqe ose portal, sepse infrastruktura është shumë e përshtatshme për sulme, sidomos për ato DDOS.
“Krejt kjo ndodhë sepse pothuajse të gjithë kompjuterët janë të infektuar me viruse dhe në të njëjtën kohë përdoren sistemet operative pa licenca, ku një haker e ka shumë të lehtë ta përdorë kompjuterin e dikujt për ta sulmuar. Sulmi nuk ndalet nga provajderët e internetit, sepse me një IP janë deri në 2,000 kompjuterë të lidhur në internet”, tha ai për Telegrafin.
Paçarada ka sqaruar se problemi do të zgjidhej fillimisht nëse sa ma shumë IP reale nga ISP-të e secilit do ta identifikonin personin i cili ka bërë sulme, gjithashtu duke përdorur sisteme operative të licencuar me antiviruse të kohës.
(USAL)